Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
وَالأَرْضَ مَدَدْنَاهَا وَأَلْقَيْنَا فِيهَا رَوَاسِيَ وَأَنبَتْنَا فِيهَا مِن كُلِّ شَيْءٍ مَّوْزُونٍ
“E tokën e kemi shtruar dhe në të kemi vendosur kodra dhe kemi bërë që në të, të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve” (Hixhr, 19)
Muhammedi a.s. mëshirë për të gjitha botëtar kishte qasje dhe botëkuptim edhe të ndotjes së natyrës dhe gjërave elementare siç janë, toka, uji, ajri, në një rast kishte deklaruar: “Cili nga myslimanët do të mbjellë një dru , ose ndonjë send tjetër , ku në atë të mbjellë përfitojnë zogjtë, njerëzit ose kafshët , ajo do të llogaritej për të si sadaka” Ideja e Muhammedit a.s. që si përfitim të ruhet rrethi në fillim mund që të na habisë. Edhe në të vërtetë termi rrethinë, që është i lidhur me termin ekologji, vetëdije ekologjike është një term modern, ndërsa Pejgamberi a.s. këtë e përmend ende pa u formuar ekologjia si terminologji në rrethin tonë jetësor. Megjithatë nëse hulumtojmë mbi hadithet e Pejgamberit a.s. do të shohim se ai ka qenë një udhëzues i suksesshëm mbi ruajtjen e rrethit njerëzor. Mund të thuhet se ai dhe udhëzimet e tij kanë qenë urë lidhëse ndërmjet mbrojtjes së zhvillimit ekonomikë dhe shfrytëzimit të resurseve në harmoni të plotë me natyrën njerëzore. Në të gjitha ngjarjet e jetës së Tij, kuptojmë se Pejgamberi a.s. ka pasur një respekt të thellë për florën dhe faunën, njashtu edhe një raport të veçantë mbi katër elementet: tokën , ujin , ajrin dhe diellin. Ka qenë një ligjërues i duhur edhe i shfrytëzimit të mençur të ujit dhe kultivimit të çështjeve të pasurive të ndryshme blegtorale, ka pasur një raport të arsyeshëm ndaj kafshëve, shpezëve dhe një ligjërues i suksesshëm për shfrytëzim të njëjtë dhe të drejtë të këtyre pasurive.
Sot, zhvillimi i vrullshëm ekonomik i botës e civilizimi i saj, krahas progresit të madh që kanë sjellë, kanë ndërhyrë edhe në dëmtimin, ku më shumë e ku më pak, të mjedisit tonë rrethues. Sot, mjedisi ku zhvillohet aktiviteti i botës së gjallë, është shumë i ndotur me produkte e mbeturina te shumëllojshme, ndër to vendin kryesore e zënë mbetjet kimike apo siç i njohim ndryshe, hemikalet dhe mbetjet radioaktive. Të gjitha këto dëmtojnë e shkatërrojnë pa dallim bimët, kafshët edhe vetë njeriun. Edhe pse Natyra në një farë mënyre i eliminonte këto mbeturina ndotëse atmosferike, tokësore, tashmë ky ekuilibër është i pamjaftueshëm dhe në mbrojtjen e natyrës sot është shumë e domosdoshme ndihma e njeriut. Një gjë është shumë e qartë. Natyra ndotet shumë lehtë, por pastrohet me shumë vështirësi. Duhet të ndërgjegjësohemi, duke apeluar për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe ambientin e tyre. Detyra jonë parësore si mysliman është pastërtia dhe mënjanimi i papastërtisë dhe ndotjeve. Kujdesi ynë mjedisit është obligim hyjnor por edhe njerëzor për te evituar katastrofat ekologjike. Ne duhet të jetojmë në harmoni me natyrën, duhet të kujdeset për atë, dhe të shfrytëzojmë me efikasitet te mirat e saj, përndryshe natyra e ndëshkon atë dhe brezat që do te vijnë
Çdo kush prej nesh duhet të mendon se ne çfarë mënyre dhe me çfarë mjete është pjesëmarrës në ndotjen e ajrit, tokës ujit dhe kafshëve. Tetova jonë e bukur e cila ka pasur kushte shumë të volitshme dhe të mira ekologjike, momentalisht është në një rrezik të madh ku Ajri në rrethinën e Pollogut, është i ndotur disa herë mbi nivelin e lejuar. Është koha t’u themi STOP atyre qe na helmojnë, por duke mos harruar se edhe ne jemi pjesëmarrës në këtë ndotje masive.
Ne si besimtarë duhet që maksimalisht të japim mundin tone kundër ndotjes së ajrit, sepse nëse vazhdon kështu në të ardhmen do të ballafaqohemi me problem të shumta të cilët do të jenë për në të kobshme. Hutben do ta mbaroj me një hadith të Pejgamberit a.s. ku thotë: “Nëse vjen dita e Gjykimit dhe një besimtar ka në dorë një fidan për të mbjellur para se të vijë ajo ditë, le ta mbjellë edhe atë fidan.”
O Allah na ndihmo që ta kuptojmë plotësisht fenë dhe të punojmë sipas saj. O Allah na ndihmo në ballafaqimin me problemet që do të na paraqiten gjatë jetës, na jep durim dhe vullnet dhe na bërë prej të durueshmit. O Allah na mundëso që të jemi të përgjegjshëm, të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për jetën dhe mjedisin ku jetojmë.