Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
﴿لَن يَنَالَ ٱللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَآؤُهَا وَلَٰكِن يَنَالُهُ ٱلتَّقۡوَىٰ مِنكُمۡۚ كَذَٰلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمۡ لِتُكَبِّرُواْ ٱللَّهَ عَلَىٰ مَا هَدَىٰكُمۡۗ وَبَشِّرِ ٱلۡمُحۡسِنِينَ﴾
“Te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësëve merru myzhde.” (Haxh, 37)
Nevoja e njeriut apo e krijesës për krijuesin, është si nevoja e foshnjës për nënën, këtë na e vërteton historia njerëzore e cila që nga njeriu i parë pra Ademi a.s., nuk ka njohur popull të pa fe, ndoshta historia ka regjistruar individ të pa fe, por popull të pa fe nuk ka njohur deri më sot. Kjo e vërteton dhe e tregon rëndësinë e Krijuesit, në jetën e krijesës apo nevojën e Zotit në jetën e njeriut. Këtë nevojë të tij, sipas udhëzimeve hyjnore, njeriu e ka manifestuar në forma dhe mënyra të ndryshme, qofshin ato të drejta apo të gabuara, të mira apo të këqija. Ndër këto forma dhe ndër këto mënyra të komunikimit, ndërmjet Krijuesit dhe krijesës është edhe flijimi, sakrifica, në gjuhën fetare islame ndër ne e njohur si kurbani.
Të dhënat historike dhe hulumtimet shkencore nga rrafshi i feve komparative, tregojnë se edhe kulturat dhe qytetërimet e vjetra, si adhuruesit e Diellit, Hënës, të yjeve dhe objekteve e fenomeneve të ngjashme, e njohin institucionin e flijimit, të kurbanit. Ata janë përpjekur që nëpërmjet sakrifikimit të vetvetes apo të formave të ndryshme ta fitojnë simpatinë e Krijuesit dhe t’i meritojnë dhuntitë e Tij. Këto të dhëna nga e kaluara tregojnë se flijimi është traditë e rrënjosur thellë edhe tek popujt e vjetër si asirianët, persianët, fenikasit, egjiptianët, grekët, arabët parakur’anor, iliro-shqiptarët, sllavët, popujt e ndryshëm në kontinentet tjera etj.
Institucioni i kurbanit ka një rëndësi të shumëfishtë në mësimin islam. Për këtë arsye, kërkon dhe meriton trajtim shumëpikëpamjesh. Nëse kurbanin e reduktojmë në aspektin juridik dhe të teknikës së prerjes së kurbanit, ne me këtë veprim e kemi varfëruar këtë institucion dhe u japim të drejtë atyre që kurbanin e trajtojnë njëanshëm.
Allahu xh.sh., në Kur’anin famëlartë, na tregon shumë bukur simbolikën e kurbanit ku thotë: “Te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësëve merru myzhde.” (Haxh, 37)
Pra Allahu xh.sh., nuk ka nevojë, për mishin apo gjakun e Kurbanit që ne e therim, por me të ne tregojmë, sinqeritetin tonë karshi Allahut xh.sh.. Këtë më së miri na e tregoi Pejgamberi a.s., në atë që në historinë Islame njihet si marrëveshja e Hudejbijes, ku Muhamed mustafaja, u detyrua të kthehet me shokët e tij pas mos e vizituar Qaben, në këto momente, kur muslimanët ishin të pikëlluar se nuk arritën ta shohin Qaben e bekuar Muhamedi a.s., urdhëroi që para se të kthehen në Medine, ti thernin Kurbanat e tyre, që i kishin bërë nijet dhe pastaj të kthehen. Pra, Kurbani tregon vendosshmërinë dhe gatishmërinë tonë, për flijim për Allahun xh.sh., pra, ne tregojmë me Kurbanin që e therim se, dëshira dhe gatishmëria jonë është më e madhe, por në momente të caktuara kur nuk mund të arrihet ajo. më e larta me anë të Kurbanit tregojmë se kjo ishte sakrifica më e madhe që ne mundemi.
Pra. përkundër faktit se kurbani gjatë historisë ka pësuar ndryshime në aspektin formal dhe të teknikës, esenca është e njëjtë, ai paraqet rast unikal, simbolik dhe praktik të demonstrimit të besimit të tyre dhe ka ndihmuar, që besimtarët nëpërmjet simbolit ta kuptojnë fenë e tyre më drejtpërdrejt. Simboli i kurbanit gjithashtu ka ndikuar, që të unifikohet dimensioni shoqëror dhe religjioz, e të gjitha këto në frymën e maksimës së Teuhidit: Nuk ka hyjni tjetër përveç Allahut.