You are here
Home > Hytbe > Hutbe nga Visar ef. Selimi

Hutbe nga Visar ef. Selimi

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
“(Ata të devotshmit) i lënë shtratet e tyre (për të falur namaz dhe për të kërkuar falje). E lusin Zotin e tyre me frikë dhe me shpresë.” (Sexhde, 16)
Të jesh bashkë me Allahun në një pjesë të natës, për robin është një burim lumturie i papërshkrueshëm. Për shkak se edhe Zoti ynë kënaqet dhe gëzohet me këtë, është pretekst i një mëshire, faljeje dhe mirësie të veçantë. Zemra e njeriut lartësohet në lidhje me shkallën e të fshehtave, urtësive dhe begative që Zoti ynë ia ka dhënë natës. Netët janë një pasuri e veçantë, për arsye të qetësisë dhe begatisë në zemrën e besimtarëve që vendosin t’i afrohen Allahut fuqiplotë. Muhammedi a.s. thotë: “Ka një kohë gjatë natës, në të cilën një mysliman mund t’i lutet Allahut për mirësi në lidhje me këtë botë apo me ahiretin, dhe Allahu ia jep patjetër atij atë që kërkon. Kjo kohë (orë) është çdo natë.”
Ata që me të vërtetë e dinë vlerën e këtyre shanseve, gjejnë vendin më të begatë për t’u lutur, për të bërë adhurim dhe për t’iu drejtuar Zotit të tyre në një kohë kur të gjitha krijesat bien në rehati dhe e gjithë bota bie në një qetësi të thellë. Duke i lavdëruar këta robër fatmirë, Allahu xh.sh. thotë: “Ata flinin pak natën dhe në kohën e agimit kërkonin falje.” (Dharijat, 17-18) Vetëm e vetëm për shkak të dashurisë, netët janë koha e flijimit në praninë hyjnore duke i lënë krevatet e ëmbël dhe të butë për hir të kënaqësisë së Allahut fuqiplotë. Për këtë arsye, namazet që falen, Kur’ani që lexohet dhe tespitë që bëhen në klimën e qetë të natës, kanë një rëndësi shumë të madhe në lidhje me afrimin ndaj Allahut të madhërueshëm. Adhurimet që bëhen natën, pothuajse janë si takimi me të Dashurin e Lartë dhe bisedimi me Të.
Të jesh i zgjuar kur të gjithë flenë, do të thotë të hysh në klimën e mëshirës dhe marrjes pjesë ndërmjet robërve të veçantë, që janë brenda kuvendit dhe mëshirës së Zotit fuqiplotë. Dëshira që shfaqet ndaj adhurimeve të natës, është e lidhur me forcën e dashurisë hyjnore që ndodhet në zemra. Po ashtu, disa njerëz të devotshëm që shijonin kënaqësinë dhe begatinë e adhurimit të natës, thonin: “Unë nuk kisha frikë nga vdekja, por ajo hyn ndërmjet meje dhe namazit të natës.” Me të vërtetë, si mund të mendohet se dikush që pohon se e do Zotin e tij të flejë deri në mëngjes me indiferencë? Për këtë arsye, ngjallja e kohëve të agimit është shfaqja e dashurisë dhe e madhështisë që ndjen robi ndaj Zotit të tij. Ndërsa nata që kalohet me indiferencë ose me gjumë, duhet të llogaritet si një humbje e pafrytshme dhe që është e vështirë që të kompensohet si shiu që bie në gurë, dete dhe shkretëtira. Kështu, i Dërguari i Allahut i dha këtë këshillë Abdullah bin Amr ibn As’it: “O Abdullah! Mos u bëj si filan njeriu, sepse ai vazhdonte adhurimin e natës ndërsa tashmë nuk ngrihet fare.” Domethënë, të qëndruarit larg namazit të tehexhxhudit (natës) është shkak për një humbje të madhe.
Amr ibn. Asi r.a. tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguari i Allahut! A ekziston ndonjë kohë që ka më shumë mirësi së sa kohët e tjera, sa i takon afrimit tek Allahu?” I Dërguari i Allahut tha: “Po, koha kur Allahu është më afër robit është mesi i pjesës së fundit të natës. Nëse ke mundësi që t’i bësh dhikër Allahut në atë kohë, bëji! Sepse namazi në atë orë është i njohur (engjëjt janë të pranishëm në atë kohë).” Përfundimisht, nëse besimtari e shfrytëzon natën nën orientimin e këshillave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe përfiton nga ndjesia e dhikrit, nata e tij bëhet më e ndritshme se sa dita e tij.
I lutemi Allahut xh.sh. qe te na mundësoj te gjithë neve te e përjetojmë kënaqësinë e adhurimit të natës.

Artikuj të ngjajshëm

error: