You are here
Home > Hytbe > Hutbe nga Nermin ef. Emini

Hutbe nga Nermin ef. Emini

12432841_1212980452063024_668090066_o

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..
I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:
بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)

Islami i ka edukuar pjesëtarët e vet që ata ta ndiejnë thellë ndjenjën e unitetit, vëllazërisë, afërsisë, dashamirësisë, respektit, sa që hadithet e Muhamedit a.s. janë të shumta që e ushqejnë besimtarin me ndjenjën e vëllazërisë dhe dashamirësisë.   Muslimanët duhen të jenë si një trup dhe të dashur me njëri-tjetrin, sepse kështu realizohet vëllazërimi i sendërtuar mbi bazat e imanit. Padyshim që tua dëshirosh të tjerëve atë qe ke në qejf për vete, është parim në Islam, madje kjo është edhe pjesë plotësuese e besimit. Ai i cili nuk është i stolisur me këtë cilësi, edhe besimi i tij është i mangët. Ebu Hurejra transmeton se Muhamedi ka thënë: “Nuk do të hyni në xhenet, derisa të besoni dhe nuk do të besoni, derisa të duheni ndërmjet jush. A doni t’ju udhëzoj për diçka që, nëse i përmbaheni, do të duheni në mes vete? Atëherë, jepni ndërmjet vete selam.” Po ashtu, transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra ku Muhamedi ka thënë: “Allahu i Madhëruar Ditën e Gjykimit do të thotë: ‘Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t’i vendos nën hijen Time, në ditën ku nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime.”

Dëshiroja të tjerëve atë që e dëshiron për vete, nëse dëshiron ta fitosh kënaqësinë e Krijuesit tënd, në këtë botë dhe botën tjetër. Po ashtu, nuk duhet harruar që besimi është i lidhur ngushtë me respektin ndaj njëri-tjetrit, ku edhe finalizon çdo gjë në xhenetin e Allahut xh.sh.  Nëse e synojmë xhenetin, atëherë duhet t’ia dëshirojmë vëllezërve besimtarë çdo të mirë dhe sukses. Nuk është i vështirë definimi i asaj se çka është e mirë dhe e këndshme. Në Islam e mirë është: çdo gjë, qoftë fjalë apo vepër, që Allahu xh.sh. është i kënaqur konsiderohet e mirë. Çdo njëri prej nesh duhet të angazhohet që çdo të mirë që e bën jetën të lumtur në suaza të besimit, t’ua mësojë të tjerëve. Kjo realizohet në shumë segmente, por në vazhdim po sinjalizojmë vetëm në disa prej tyre:

Dëshiroja të tjerëve sinqeritetin, duke e ditur se çdo vepër a qëndrim shpërblehet sipas qëllimit dhe Allahu xh.sh. shikon vetëm zemrat. Dëshiroja të tjerëve pendimin nga mëkatet dhe kërkimin e faljes  prej Allahut xh.sh., sepse Ai është Falës i çdo mëkati.    Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe që të kërkoni falje nga Zoti juaj dhe të pendoheni.” (Hud, 3.) Dëshiroja besimtarëve durimin dhe qëndrueshmërinë, e cila realizohet duke falur namazin, për arsye se kjo tregon seriozitetin dhe disiplinën që e ushtron besimtari ndaj Krijuesit të vet.  Allahu i Lartësuar ka thënë: “…Vetëm ata që janë të durueshëm realizojnë shpërblim të pakufizuar.” (Zumer, 10.) Dëshiroja besimtarëve frikërrespektin ndaj Allahut, duke ia mësuar lutjen e njohur të Muhamedit a.s.: “O Zoti im, unë të lutem Ty (për udhëzim), për devotshmëri.’’

Pse të jemi të rezervuar ndaj të tjerëve, të bëhemi zemërgjerë dhe çdo mirësi t’ia dhurojmë besimtarëve. Pse të kemi urrejtje dhe xhelozi, egoizëm dhe urrejtje, me gjëra të tilla asgjë nuk arrijmë.  Të jemi zemërgjerë në fjalë dhe vepra të mira, udhëzime dhe sugjerime, këshilla dhe miratime, përkrahje dhe mbështetje. Këto të mira që t’i ka dhuruar xh.sh, përdori duke e dëshiruar çdo të mirë njerëzimit, Allahu i Lartësuar ka thënë: “A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij?’’ (Nisa, 54). Këto janë disa këshilla, udhëzime dhe mësime, që duhet të i kemi në konsideratë nëse dëshirojmë të jemi të lumtur.

O Zoti na bëj prej atyre që veprojnë mirë dhe porosisin të tjerët të bëjnë mirë, dhe largohen nga veprat e këqija. O Zot na bëj posedues të moralit të lartë, të virtytshëm në pamje, të sinqertë në fjalë dhe të besueshëm në fillim tek Ti dhe pastaj tek ata që na rrethojnë.

Artikuj të ngjajshëm

error: