You are here
Home > Lajme > Hutbe nga Havzi ef. Ramadani

Hutbe nga Havzi ef. Ramadani

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s.. I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar: بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم

وَقَضَى رَبُّكَ أَلاَّ تَعْبُدُواْ إِلاَّ إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِندَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلاَهُمَا فَلاَ تَقُل لَّهُمَآ أُفٍّ وَلاَ تَنْهَرْهُمَا وَقُل لَّهُمَا قَوْلاً كَرِيمًا

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese).”

Për ta kuptuar fëmijën tënd a është e edukuar në frymën islamë mund ta kuptojmë atëherë kur ai do të forcohet dhe do të jetë në këmbë të veta e ti si prind do të plakesh dhe sikur që ai kur ishte i vogël kishte nevojë për ty si prind tash ti si nënë ke nevojë për të dhënë dashurinë dhe respektin e tij ndaj teje. Tregimi ka të bëjë me një njeri i cili jetonte një jetë nomade-beduini të cilët kryesisht jeta e tyre bazohej në kërkim të vazhdueshëm të kullotave të freskëta dhe burimeve të ujit.

Në një fis të tillë jetonte një njeri që kishte një nënë të moshuar, e cila nuk kishte tjetër fëmijë përveç tij. Duke marrë parasysh se ajo ishte në moshë të shtyrë shpeshherë e humbte memorien, prandaj ajo kurrsesi nuk pranonte të ndahet nga djali i saj. Por, sjellja e saj e nervozonte njeriun, saqë mendonte se kjo ia zvogëlonte reputacionin e tij në mesin e njerëzve.

Një ditë, kur fisi përgatitej të zhvendosej në një vendin tjetër, djali i tha gruas së tij: “Nesër, kur të nisemi lëre nënë këtu, me pak ushqim dhe ujë, ndoshta do të kaloj dikush dhe ta marrë, ose do të vdes, kështu ne do ta heqim qafe.” “Mirë, unë do të bëj ashtu si thua ti”, iu përgjigj gruaja. Ditën tjetër fisi u nis. Gruaja veproi ashtu sikurse i tha burri, e la nënën me pak ushqime dhe ujë, por ajo bëri edhe diçka shumë të çuditshme, bashkë me nënën e la edhe djalin e tyre të vogël. Djali kishte më pak se

një vit, dhe babai e donte shumë – sa herë që shtrihej për të pushuar ai i thoshte gruas t’ia sjellë atë që ta përqafoj dhe të luajë me të.

Në mesditë beduinët u ndalën për të ngrënë dhe për të pushuar. Të gjithë u ulën me familjet e tyre. Atë kohë njeriu, si zakonisht, i kërkoi gruas që t’ia sjellë djalin e tij që të zbavitet pakë me të. Por, ajo i tha: “Djalin e kam lënë bashkë me nënën, nuk e duam atë.” “Çfarë?” filloi të bërtasë njeriu Gruaja u përgjigj: “Sepse edhe ai kur të rritet do të na lë neve në shkretëtirë, siç e kemi lënë ne nënën tënde.” Këto fjalë e goditën njeriun si shigjetë. Nuk i tha asgjë gruas, sepse e kuptoi se sa shumë kishte mëkatuar ndaj nënës së tij. I hipi kalit dhe nxitoj drejt nënës dhe djalit para se të vinin kafshët e egra në vendin ku kishin qëndruar beduinët, që të kërkojnë mbeturinat e ushqimit që ata zakonisht i lënë pas vete. Kur erdhi në atë vend e pa nënën të rrethuar nga ujqit të cilët tentonin t’ia merrnin fëmijën e vogël nga duart. Ajo e fshihte nipin në gji, duke ia lënë vetëm fytyrën jashtë sa të mund të merrte frymë. I gjuante ujqit me gurë dhe bërtiste: “Largohuni ky është fëmija i djalit tim.”Kur njeriu e pa se çfarë po ndodh me nënën e tij, u vërsul drejt ujqve, vrau disa, e pjesa tjetër ikën, pastaj u ul e ia puthi nënës këmbët, dhe qau shumë duke u penduar për atë që ia kishte bërë.

Zot, na ndihmo që gjithmonë të bëjmë bamirësi ndaj prindërve tanë, o Zot na mundëso çdo herë t’i lutemi Allahut me fjalët kuranore: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”

O Allah mos na sprovo me sende të cilat nuk kemi mundësi t’i përballojmë, O Allah, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata para nesh! Na i mbulo të këqijat, na fal dhe na mëshiro neve. Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar! O Allah na fal neve dhe prindërit tonë që janë të gjallë apo të vdekur

Artikuj të ngjajshëm

error: