Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s.. I nderuari xhemaat,
I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar: بِسْــــــــــــــــمِ اﷲِالرَّحْمَنِ اارَّحِيم
وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوفْ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الأَمَوَالِ وَالأنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ
“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët.” (Bekare, 155)
Islami është fe, programi i së cilës synon gjithëpërfshirjen në çdo aspekt. Nga këtu, kuptojmë se në shoqërinë islame nuk ka njerëz të diskriminuar, shkelur e anashkaluar, pa marrë parasysh se çfarë kategorie përfaqësojnë ata. Në shoqëritë e mëhershme personat (me të meta psiko-fizike) konsideroheshin si njerëz jepnin imazh të keq edhe familjes por edhe shtetit, ndaj, fëmijët me të meta vriteshin që në vegjëlinë e hershme sikurse zhdukeshin ata që ishin të paaftë fizikisht për punë. Arsyet të këtyre veprimeve ishin të përqendruara në një logjikë të prishtë. Ata konsideroheshin se ishin të mbizotëruar nga djalli, se janë të ndyrë dhe se, meqë shoqëria nuk përfiton prej tyre, atëherë ata nuk meritojnë të jenë barrë e saj.
Islami këtë logjikë e quajti besëtytni, këto parime i quajti pashpirtësi, këto vlera i quajti antivlera, dhe si reagim, solli ligje, norma e parime, që barazojnë këtë pjesë të shoqërisë me pjesën tjetër. Njeriu, që veten e konsideron si halife në tokë, paralel me këtë privilegj ka edhe përgjegjësinë e mbarëvajtjes së rendit në tokë. Ndaj, nëse ai është urdhëruar që të ketë mëshirë e kujdes edhe ndaj kafshëve, e ku mbeti kujdesi dhe vlera për njerëzit të cilët Allahu ka deshtë që të lindin ose me kalimin e kohës të bëhet ashtu. Allahu xh.sh. thotë: “Më afër Allahut është ai që është më i devotshëm”, edhe Muhammedi a.s. thotë: “Vërtetë Allahu nuk shiqon në fizionominë tuaj dhe në pasurin tuaj, porse Ai i shikon zemrat dhe veprat tuaja”.. Nëse e shikojmë të dashurin tonë Muhammedin a.s. se si ai i trajtonte këtë problem do të shohim se një ditë ai ftohet nga një grua me të meta, grua që liderët e sotshëm as që do të qanin kokën për
të, ndërsa ai i përgjigjet kërkesës së saj dhe ia përmbush nevojat të cilat i kishte. Ajetet dhe tradita e pejgamberit a.s. qartë tregojnë se kjo jetë është kalimtare kështu që nëse këtu nuk je i kompletuar, nuk është diç e madhe në krahasim me mungesën në ahiret, Më konkretisht, njeri me të meta këtu e atje është ai që nuk ka besim e moral. Thotë Allahu i Madhëruar: “Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor”. (El Haxh, 46)
Krahas kësaj, njerëzit e sprovuar në këtë bote, i ka garantuar me privilegj në botën e ardhme. Në një hadith kudsi thuhet: “(Thotë Allahu i Madhëruar) Nëse robit Tim ia marr dy fisniket e tij (dy sytë) e ai bën durim, nëse më falënderon për këtë, Unë nuk pranoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit” .
Në anën tjetër islami e ka ndaluar talljen me ta duke ua bërë me dije se i tallur dhe i përqeshur është hipokriti e dyfytyrëshi. Thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër” (El Huxhurat, 11) Pra, i shëmtuar e për tu përqeshur e tallur me të është ai që është hipokrit.
Nëse në të kaluarën ishin propozuar dhe aprovuar ligje për zhdukjen e atyre që për shkak të pafuqisë fizike nuk i sillnin benificione shtetit, Islami jo vetëm që ka anuluar një gjë të tillë por edhe ka paraparë lehtësime për ta, qoftë në raport me shtetin, qoftë edhe në raport me adhurimin. Kursimi nga pjesëmarrja në luftëra, në aktivitete kolektive, e madje edhe në ato fetare për një grup të veçantë brenda grupit të personave me aftësi të kufizuara, janë vetëm një përshkrim i thjeshtë i këtij parimi. Ka thënë Muhammedi a.s.: “Është ngritur lapsi (nuk shkruan lapsi) nga tre persona: Nga personi që është fjetur, derisa të zgjohet, nga fëmija, derisa të hyjë në moshën madhore, dhe nga i çmenduri, derisa të bëhet i mençur.”
I lutemi Allahut xh.sh. që Islami të depërtojë deri në thellësitë e shpirtit tonë, dhe sjelljet tona të reflektojnë atë që është origjinale e burimore e tij, O Allah mos na sprovo me sende të cilat nuk kemi mundësi t’i përballojmë, O Allah na mundëso që të jemi të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm ndaj personave me aftësi fiziko/shpirtërore.