Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, bashkë me Prorektorin për Arsim, Prof. dr. Fehari Ramadani, dhe haxhi Lazim Destani, zhvilluan një takim me Myftiun e Myftinisë së Tetovës, Prof. dr. Qani ef. Nesimi, krye imamin, Mr. Ejup Selmani, si dhe disa imamë të xhamive të qytetit të Tetovës dhe fshatrave për rreth. Fillimisht, ata në këtë ditë të bekuar bashkërisht e falën namazin e xhumasë në Xhaminë e Pashës, në Tetovë.
Pas përfundimit të namazit, ata në hapësirat e Medresesë për Hafëzë në Tetovë realizuan një takim të përbashkët. ku diskutuan për tema të ndryshme, përfshirë edhe përforcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ndërsa rëndësi të veçantë i kushtuan bashkëpunimit në mes të institucioneve arsimore dhe atyre fetare, përfshirë sektorin publik dhe privat.
Myftiu i Myftinisë së Tetovës, Prof. dr.Qani Nesimi theksoi se në rajonin e Tetovës ekzistojnë gjithsej 103 xhami dhe se shumica e imamëve të këtyre xhamive kanë të kryer fakultetet teologjike në vende të ndryshme të rajonit dhe botës.
Nga ana tjetër, Rektori i USHT-së, Prof. Dr.Vullnet Ameti theksoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës në kuadër të Fakultetit Filozofik ka disa vite që e ka hapur Katedrën e Orientalistikës dhe interesimi i studentëve për këtë program studimor ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ai tha se, përveç studimeve në Tetovë, Fakulteti Filozofik i USHT-së, Programin e studimeve të Orientalistikës e ka disperzuar edhe në qytetin e Shkupit.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që takime të kësaj natyre të ketë edhe në të ardhmen, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të ngrihen në piadestalin më të lartë vlerat tona si popull, përfshirë këtu ato kombëtare, fetare dhe mbi gjitha ato shoqërore.