You are here
Home > Aktivitete > Donacion nga Myftinia e BFI-së Tetovë, për Spitalin Klinik të Tetovës

Donacion nga Myftinia e BFI-së Tetovë, për Spitalin Klinik të Tetovës

Sot më 8 prill 2020, Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi me bashkëpunëtorët e tij në hapësirat e Myftinisë, mirëpritën kreun më të lartë të Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi me bashkëpunëtorët e tij nga Rijaseti dhe FSHI, shoqëruar nga Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Gostivarit, hfz. Shaqir ef. Fetahu, Myftiu i Kumanovës, Abedin ef. Imeri, Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, Myftiu i Ohrit Samet ef. Hajdari, Myftiu i Shtipit, Mr. Nasir ef. Rexhepi.
Reisul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, Spitalit Klinik të Tetovës, i dhuroi donacion 3000 maska mbrojtëse, kontribut nga Myftinia e BFI-së Tetovë, me qëllim që të ndihmohet në masat për mbrojtjen e punonjësve shëndetësor të cilët janë duke kontribuar në menaxhimin e situatës rreth Koronavirusit Covid-19. Në bisedën telefonike që kishin bërë Kryetari i BFI-së Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi dhe Myftiu i Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, dr. Florin Besimi i cili për shkaqe objektive nuk ka pas mundësi të merr pjesë në këtë takim, kishte falënderuar Reisul-Ulemanë dhe Myftiun e Tetovës, për donacionin e dorëzuar, duke thënë që Bashkësia Fetare Islame Myftinia e Tetovës, përveç përkrahjes në ngritjen shpirtërore të qytetarëve, po gjen kohë që në këto momente të vështira për të gjithë ne, të ofrojë edhe ndihma materiale për institucionet publike.
Myftiu i Tetovës deklaroi se Myftinia e Tetovës i respekton me përpikëri vendimet e Bashkësisë Fetare Islame në RMV në krye me Reisul-Ulemanë, në bashkëpunim me xhamitë, imamët, myezinët, këshillat e xhamive dhe me shërbimin e varrimit menaxhojnë situatën e krijuar duke bërë maksimumin që besimtarët të ndjehen të rehatshëm. Myftiu në vazhdim theksoi se, ne si Myftini, bëjmë përpjekje maksimale në kalimin sa më lehtë të sëmundjes Covid-19 dhe apelojnë deri te qytetarët që të respektojnë rekomandimet dhe udhëzimet që jepen nga organet kompetente duke e pasur kujdes të veçantë për distancën sociale dhe evitimin e grumbullimit të grupeve të mëdha. Në fund të fjalimit të tij Myftiu i nderuar falënderoi Kryetarin e BFI-së për bashkëpunimin që e jep dhe të gjithë ata që ndihmuan dhe ndihmojnë në këto situata të jashtëzakonshme.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame e RMV, Reisul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, përgëzoi këtë iniciativë që ka marr Myftinia e Tetovës, për shpërndarjen e maskave Spitalit Klinik të Tetovës, për koordinimin e mirë të Myftinisë së Tetovës që e bën me Rijasetin e BFI-së, imamët, myezinët, këshillat e xhamive dhe me menaxhimin e situatës, e cila çdo herë ka qenë vigjilente në momente krize. Në fund të fjalimit të tij Kryetari i BFI-së, falënderoi Myftiun, operativën e Myftinisë, imamët, myezinët, këshillat e xhamive për seriozitetin e tyre, duke e lutur Allahun Fuqiplotë që të na ndihmojë në tejkalimin e krizës me virusin Korona.

Artikuj të ngjajshëm

error: